Prishtinë, 10 shkurt 2021 – Krizat e ndryshme ekonomike, shpesh të shkaktuara papritur dhe nga faktorë të panjohur, kanë vënë në pah nevojën që kompanitë të bëjnë planifikime strategjike duke përfshirë edhe parashikime të mundshme për t’u ballafaquar me të njëjtat. Një nevojë e tillë ka qenë shumë e theksuar gjatë periudhës së ballafaqimit me krizën e paprecedentë të shkaktuar nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, prandaj, për të diskutuar aspekte të ndryshme të kësaj nevoje, Këshilli i Konsulentëve të Kosovës (BCC) dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, organizuan sot një takim virtual lidhur me Menaxhimin Strategjik në kohë të krizës.
Ky takim është realizuar në kuadër të edicionit ‘’Virtual Morning Coffee’’ si program partneriteti mes BCC dhe shoqatave, odave ekonomike dhe institucioneve të ndryshme publiko-private.
Jehona Lluka – drejtoreshë Ekzekutive në BCC ka shpjeguar kontributin dhe rolin e shoqatës së konsulentëve menaxherial gjatë vitit 2020, ku në bashkëpunim me EBRD janë munduar të ofrojnë një edicion të përbërë prej 14 videosh profesionale me tema që i përkasin specializimit të sektorëve, me qëllim që bizneset të përfitojnë strategjitë dhe informatat më të qarta lidhur me tejkalimin e krizës dhe ngritjes së kapaciteteve.
BCC fton institucionet partnere që të japin propozime duke adresuar kërkesat e sektorit privat, përmes zhvillimit të Masterklasave profesionale.
Gjatë kësaj ngjarjeje, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi se nuk beson të ketë pasur ndonjë krizë që është përjetuar më keq se kjo e fundit e shkaktuar nga pandemia COVID-19 në aspektin e sfidave menaxheriale, derisa gjithashtu tha se e konsideron këtë sesion si të rëndësishëm për të diskutuar jo vetëm mësimet e nxjerra nga kriza, por edhe nivelin e gatishmërisë së bizneseve për t’u përballur me të njëjtën, si dhe për të parandaluar efektet më të rënda të saj. Ndërsa, drejtoresha ekzekutive e Këshillit të Konsulentëve të Kosovës (BCC), Jehona Lluka, u shpreh se përmes kësaj punëtorie synohet të diskutohen përdorimi i mekanizmave për planifikim, mënyra se si po e ndryshon pandemia COVID-19 rolin e menaxhimit strategjik, si dhe shkalla e vështirësisë për ta aplikuar të njëjtin gjatë kësaj kohe.
Paneli i ligjëruesve për këtë takim është përbërë nga tre ekspertë të ndryshëm të fushës së konsulencës, në mesin e së cilëve, eksperti Bersant Disha, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv në kompaninë e shërbimeve financiare, Recura Financials, foli mbi aspekte të ndryshme të planifikimit të kompanive, ku si shumë të rëndësishme e cilësoi parapërgatitjen për ballafaqim me probleme, krahasuar me vendimmarrjen e atypëratyshme.
Violeta Haxhillazi, drejtuese e zyrës në Kosovë për kompaninë e shërbimeve profesionale, Mazars Albania & Kosovo, mes të tjerash nënvizoi rolin e rëndësishëm të këshillimit të bizneseve me konsulentë, sidomos për përshtatjen e modelit të biznesit gjatë kohërave të krizës, si dhe për shndërrimin e rrezikut në mundësi.
Ndërkaq, Hamëz Morina, bashkëthemelues dhe partner menaxhues në kompaninë e këshillit të menaxhimit, ECIKS, shtjelloi pjesën e aspekteve që kanë ndryshuar në menaxhim strategjik, duke vënë rëndësi mbi faktin se planifikimi strategjik tani është më kompleks, dhe i njëjti duhet të marrë një pamje holistike gjithpërfshirëse të performancës, duke përfshirë qëllimet afatshkurtëra, afatmesme dhe afatgjata të kompanisë.